Qershor 19, 2019

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Anulohen zgjedhjet e 30 qershorit

Anulohen zgjedhjet e 30 qershorit

KMA NEWS / Anulohen zgjedhjet e 30 qershorit

Presidenti Ilir Meta ka anuluar datën 30 qershor për zgjedhjet vendore. Në një deklaratë për mediat, Presidenti njofton se “kam vendosur të shfuqizoj Dekretin nr.10928, datë 05.11.2018 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019”.

Presidenti Ilir Meta njoftoi sot se ka vendosur të shtyjë datën e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit. Njoftimi i tij u bë pak përpara nisjes zyrtare të protestës së opozitës sot në mbrëmje. Presidenti ka bërë të ditur vetëm anullimin e dekretit me anë të të cilit ai kishte shpallur 30 qershorit si datë, duke shpjeguar se “ditën e hënë, datë 10 qershor, në mëngjes, Institucioni i Presidentit të Republikës do të bëjë publikisht me dije të gjithë argumentat shteruese kushtetues, ligjorë dhe logjikë që çuan në marrjen e këtij vendimi”.

Në deklaratën e shpërndarë nga zyra e tij, zoti Meta shpjegon arsyet e vendimit të tij. Sipas deklaratës, ky vendimi ka ardhur si pasojë e “shqetësimit të thellë për situatën kritike të krijuar në vend si pasojë e mos-reflektimit të asnjërës palë”, dhe se për këtë ai “ka patur parasysh domosdoshmërinë e çtensionimit urgjent të situatës dhe të rrezikut të përshkallëzimit të paparashikueshëm të konfliktit në vend, se ka marrë përgjegjësinë e lartë kushtetuese e institucionale, dhe i bindur se mbrojtja e parimeve kushtetuese është më e rëndësishme se çdo afat ligjor, si Kreu i Shtetit dhe duke iu përmbajtur betimit për t’i shërbyer ruajtjes me çdo kusht të stabilitetit, paqes sociale dhe unitetit kombëtar, dhe se ka vetëdijen e plotë se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kriter kryesor i Kopenhagës dhe në kushtet aktuale, për mungesë përgjegjësie të të dy palëve, po shkojmë drejt votimeve një partiake. Në këtë mënyrë minohet çdo mundësi për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, dëmtohet imazhi si vend anëtar i NATO-s dhe cenohet kryesimi i OSBE-në për vitin 2020”.

Në deklaratën e tij, presidenti fton “të gjithë aktorët e përgjegjshëm vendas dhe ndërkombëtarë të bashkojnë kontributet konstruktive për rivendosjen urgjent të dialogut të pazëvendësueshëm politik dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë dhe që i shërben të ardhmes evropiane të Shqipërisë”.

Nga Berati, ku po fliste në një takim elektoral, ka mbërritur reagimi i parë i kryeministrit Edi Rama, i cili e ka cilësuar “gabim” vendimin e Presidentit, duke theksuar se “zgjedhjet do të mbahen deri në 30 Qershor”. Zoti Rama deklaroi se “e prisja edhe këtë dhe nuk është asgjë tjetër veçse mbyllja e një rrethi të një plani të bërë me kohë për një arsye, për arsyen se nuk kërkohet shtyrja e zgjedhjeve, kërkohet marrja zvarrë e kësaj qeverie dhe varrosja e reformës në drejtësi.Por as qeverinë se marrin zvarrë as reformën se varrosin dot dhe ne në 30 qershor do bëjmë zgjedhje, sepse zgjedhjet janë të popullit, as të partive as të presidentit”.

Nga protesta e organizuar përpara selisë së Qeverisë, kryetari demokrat Lulzim Basha, deklaroi se vendimi për anullimin e 30 Qershorit , ishte sipas tij “është prova e parë e forcës tonë të bashkuar, por është vetëm një hap i vogël përpara. Ne do ta vazhdojmë këtë betejë, deri në fitore”.

 

About The Author

Related posts