Dhjetor 05, 2019

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

A është zbatuar strategjia e Ramiz Alisë nga klasa politike gjatë këtyre 28 viteve?!

A është zbatuar strategjia e Ramiz Alisë nga klasa politike gjatë këtyre 28 viteve?!

KMA NEWS / A është zbatuar strategjia e Ramiz Alisë nga klasa politike gjatë këtyre 28 viteve?!

Nga Kujtim VaniKujtim VANI

A është ndjekur dhe a po zbatohet strategjia e Ramiz Alisë, në këto 28 vite përpjekje për demokraci?

A ishte Sali Berisha, i zgjedhuri dhe i preferuari i Ramizit?

Duke bërë një analizë fare të thjeshtë dhe shumë të shkurtër të zhvillimeve politike, për gjatë viteve 1990- 2019 në vendin tonë, dalim në konkluzion se, hapat për zhvillimet demokratike në Shqipëri, kanë qenë dy hapa para dhe një hap e treçerekë mbrapa, ku platëforma dhe strategjia tashmë e zbuluar prej vitesh e Ramiz Alisë, flet qartë dhe është barometri më i mirë që na tregonë të vërtetën, se si partitë politike shqiptare kanë zbatuar me përpikmëri mësimet e shokut Ramiz.

A kishte, dhe a kemi sot ndonjë të përndjekur politik në organet drejtuese të shtetit apo partive politike?!

A kemi ish pronarë që morën pronat e tyre, veç oligarkëve pronarë të ri me prona të pas 90-ës?!

Për më shumë lexoni të plotë dy fjalimet e ish Sekretarit të parë të Komitetit Qëndrorë të PPSH, Ramiz Alia në Byronë politike më vitin 1989 dhe 1990.

Për të qenë më korekt lexoni të pa censuruar, fjalimet Top-sekret të Ramiz Alisë, mbajtur me dyer të mbyllura në mbledhjet e Byrosë Politike më 1989 dhe atë të dhjetorit 1990

Fjala e plotë

“Sistemi ynë ka kapitulluar përballë atij kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji. Kjo strategji do të synojë në dy drejtime:
1. Në respektimin e të drejtave të njeriut
2. Në krijimin e pluralizmit politik.
Të drejtat e njeriut janë diçka brenda nesh dhe mund të abuzohet me to deri diku, por pluralizmi do të bëhet se s’bën.
Kundërshtarët tanë do t’i nxisim të krijojnë parti sa të duan; të majta, të djathta dhe të qendrës, por gjithsesi këto parti duhet të kontrollohen e të drejtohen nga Ne.
Programet e themelimit të këtyre partive do t’i formulojmë dhe do t’i miratojmë Ne.
Në krye të këtyre partive duhet të nxirren njerëz që përkrahin Strategjinë Tonë.
Partia që do të marrë pushtetin, do ta shajë komunizmin me themel e me çati.
Në këtë mënyrë, do të fitojmë simpatinë e Perëndimit dhe të Disidencës Antikomuniste.
Ata që janë nëpër burgje, të dënuarit dhe të persekutuarit politikë antikomunistë, do të flasin për ne dhe do të na shajnë. Dhe këta, dihet që e urrejnë komunizmin, por do të na afrohen e do të na përkrahin. Neve na intereson karta morale e tyre. Këta do t’i afrojmë dhe do t’u japim punë të parëndësishme; por kurrë nuk do t’i lëmë të na marrin pushtetin, sepse Ata, sa të marrin fuqinë, do të fillojnë të hakmerren dhe Ne kështu, do të bëhemi hyzmeqarët e tyre.
Në zbatim të të drejtave të njeriut, duhet që t’u japim edhe kompensim në para të burgosurve politikë e t’i kompletojmë edhe me komoditete banimi.
Të sekuestruarve dhe të shpronësuarve do t’u japim nga një letër në dorë, që “’t’u njihet prona”, por asnjëherë nuk do t’ua japim Pronën e Tyre dhe, në forma të ndryshme, do t’i ngatërrojmë me njëri-tjetrin. Ata do të kalojnë nëpër gjykata, ku do të zbatohet rotacioni, nga Gjykata e Shkallës së Parë në të Dytën dhe, për “defekte teknike”, do të kthehen përsëri në të Parën.
Të burgosurit dhe të persekutuarit janë të moshuar, nuk kanë fuqi dhe janë të parrezikshëm. Duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre. Por këta, duke iu dhënë nga një pashaportë dhe duke u bërë presion, do t’i largojmë nga Shqipëria.
Ata që do të pretendojnë, kundërshtojnë apo do të këmbëngulin, do të lëndohen e do të ndëshkohen.
Pasuria e tyre na përket Neve, se Ne e bëmë.
Materialin që më dërgoi Gorbaçovi kam dy vjet që e studioj. Ata (sovjetikët) kanë ecur shumë përpara. Për këtë Ju jeni në dijeni, sikundër i kemi diskutuar edhe më parë këto probleme.
Neve kemi kuadro sa për shtatë komitete qendrore, ndaj nuk ka asnjë arsye që të kemi frikë. Ne i kemi studimet dhe platformat gati për zbatim. Do të ketë shumë intelektualë që do të na kundërshtojnë, por këtyre do t’ua mbyllim gojën dhe do t’u japim nga një copë punë. Një shqetësim mund të na krijojnë intelektualët pensionistë. Këtyre do t’u ofrojmë krijimin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës dhe të Punës, pastaj do t’u japim nga një minipension dhe do t’u mbajmë ison.
Kosova është në pragun e shpalljes së Kushtetutës. Le të bëjnë si të duan, sepse Ne kemi platformën tonë.
Çdo gjë e kemi të programuar. Strategjinë e keni që të gjithë të qartë. Në përputhje me këtë strategji, kemi përcaktuar edhe rrugët për zbatimin e qëllimit dhe të misionit tonë. Nën një propagandë ekstreme kundër komunizmit dhe me disa ndëshkime të vogla, sa për sy e faqe, ndaj Nomeklaturës së Lartë Komuniste, “Ne, Komunistët Reformatorë”, do të zbatojmë Strategjinë tonë në Ekonomi, sipas së cilës Kapitalistët dhe Pronarët e Ardhshëm në një vend socialist, të jemi Ne dhe Njerëzit Tanë. Me këtë strategji, brenda dy-tre legjislaturave, do të arrijmë që nga Klasa Komuniste të krijojmë Klasën Kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në Pushtetin Politik të së Ardhmes, që e kemi planifikuar dhe po e përgatisim Vetë.
Të jeni të sigurtë që e Ardhmja do të jetë e Jona. Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e pushtetit politik të armiqve tanë.
E ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë e mrekullueshme, për këtë kemi derdhur kaq Gjak dhe do të derdhim përsëri, po të jetë nevoja.
Shqipërinë do ta gëzojmë Ne dhe Fëmijët tanë. Nëse do të ndodhë që të na marrin pushtetin dhe të na rrezikojnë, atëherë haram na qoftë nëse nuk do të dimë t’i mbrojmë Fitoret e arritura, qoftë edhe me grykën e pushkës, si dikur, në Rininë tonë. Prandaj, gjithmonë të jemi të përgatitur për të dyja rrugët e mbajtjes së pushtetit: rrugën paqësore dhe rrugën e luftës së armatosur. Ne jemi përgatitur për të dyja rrugët dhe për këtë kemi organet tona të dhunës dhe njerëz tepër të vendosur e të aftë, që i kemi përgatitur për gjithë këto vite, me mund dhe sakrifica. Mjerë Ata që do të guxojnë të Na dalin përpara e të Na kundërvihen. Ndaj mbajeni moralin lart dhe mos u frikësoni. Nëse lind nevoja, do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të jashtëm ideologjikë në pushtet, të cilët nuk është nevoja t’jua përmend.

Ditën e mirë dhe mirupafshim!

Fjalimi i Ramiz Alisë në mbledhjen e 13 Dhjetorit 1990
Sali Berisha i besuari i Ramiz Alisë
Thuaj ti se Enver Hoxha këtë gjë e ka bërë keq. Por, të më flasësh ti për LANÇ, ku janë vrarë 28 mijë vetë, ku Enver Hoxha drejtonte luftën, ku luftonin 70 mijë vetë dhe ku vetëm tre mijë ishin komunistë, kjo prek jo vetëm ndjenjat e komunistëve, por edhe të rinisë. Domethënë, këtu kalohen kufijtë. Të më thuash edhe fjalën më të vogël për patriotizmin e Enver Hoxhës, në kuptimin që, ai ishte njeriu që mbrojti lirinë e atdheut edhe në momentet më të rrezikshme për lirinë e popullit, ai doli në daç kundër Bashkimit Sovjetik, në daç kundër Traktatit të Varshavës, në daç kundër jugosllavëve dhe njerëzve të tjerë, këto nuk janë më çështje partiake, janë çështje të tjera. Ti mundesh të kritikosh Enver Hoxhën, ta zëmë për politika arsimore. Nuk e ka bërë mirë. Dakord. Thuaj ç’të duash. Nuk është sjellë mirë, për shembull, me çështjen e grave ose nuk është bërë mirë çështja e kolektivizimit. Mirë, dakord. Kritikoje. Nuk është bërë mirë proporcioni midis industrisë së lehtë dhe industrisë së rëndë. Dakord. Ke të drejtë ta kritikosh. Por, ama të më thuash Enver-Hitler, ky është ofendim kombëtar. Nuk është fjala më për person. Nuk është kritikë kjo. Dhe ky është qëllimi kur bëhet fjalë për fyerje poshtëruese. Kuptoni? Këta ia thashë edhe Sali Berishës; Po ti në artikullin që shkrove, ti e kritikove Enver Hoxhën mbarë e prapë. Të thirri, prokurori për këtë? Jo, më tha. Po atëherë çfarë më thua për dekret, për çfarë më ankohesh, i thashë. Sepse prokurori nuk e pa të arsyeshme që të të thërrasë. Ti nuk kishe fyerje dhe ofeza në shkrim. Por, unë me ty nuk jam hiç dakord për ato që ke shkruar.
-Ramiz Alia jep udhëzimet për rezistencë 
Tashti, ju e dëgjuat mbrëmë atë mesazhin që thash unë. Desha të theksoj një gjë, një moment, që duhet të kuptoni ju të tërë që jeni dhe bashkë me neve e tërë partia, që është një moment i ri politik, që kalojmë nga ai stadi. Ka vendosur organizata bazë dhe kështu do bëhet. Bile, ndoshta, mbaroi dhe ai stadi që mbledhjet e organizatave bazë bëhen haptazi. Kupton tashti, mbledhjet e organizatave do bëhen të mbyllura, ose do ftosh, me të ftuar, dhe do dish kë do ftosh. Po ajo që është themelore në këtë stad të ri politik është që partia tashti duhet të luftojë për të mbrojtur idealet e veta. Dhe komunisti të duket komunist. Është i bindur në idetë dhe idealet e partisë apo ka hyrë në parti për ndonjë arsye tjetër. Tashti do të ndeshesh, do të hysh në debat për të mbrojtur vijën e partisë, për të çuar përpara idealet e partisë, sepse në kundërshtim me idetë dhe vijën e partisë po dalin forca të reja në skenë, që janë forca jo të partisë. Këtë duhet ta mbledhim top. Nuk janë forca të revolucionit, edhe këtë duhet ta kemi të qartë. Këto forca, po të ishin forca të revolucionit, kishin vend ku të militonin për revolucion, për ide të partisë, por nuk janë dakord me vijën, me idetë, me rrugën e partisë. Prandaj, nxjerrim një alternativë tjetër. Çfarë do jetë alternativa tjetër? Alternativa e tyre nuk mund të jetë komunizmi, se po të ishte komunizmi ne do kishim fenomenin që brenda në parti të kishim një fraksion, i cili nuk do ishte dakord të themi me ritmet, me tempet, me metodat, me rrugët e zgjidhjes së problemit, por me strategjinë politike do ishte dakord. Të supozojmë që do të pranonim të ishin në parti fraksione, por jo, këtu nuk është fjala për fraksion, këtu është fjala për të krijuar një parti tjetër, e cila ka një program të caktuar që është një program i ndryshëm nga programi i partisë. Kështu do ndeshen idetë. Këtë çështje duhet ta kemi kujdes, ta kemi parasysh ne se, po nuk kuptuam thelbin e këtij ndryshimi politik, nuk është e mundur të bëjmë luftën tonë si duhet.
-Për kritikat në shtyp ndaj partisë 
Për shembull, shkruan shtypi jonë, se do të shkruajë shtypi jonë edhe për të meta e dobësi që ka puna e partisë. Pse? Sensi autokritik ka qenë gjithmonë një nga parimet e partisë sonë, do të jetë dhe në të ardhmen, por do të ndryshoj pak mënyra. Pse? Partia do të vihet në shënjestër nga forca të tjera ekstra partiake, domethënë nga këto forcat që po dalin, jo Partitë Demokratike që thash, kushedi se çfarë do të dalë ndonjë gjë tjetër. Kjo do të thotë që ne do na duhet të debatojmë, por fatkeqësia është që ne nuk jemi të përgatitur. Unë prandaj u thash mbrëmë që nuk kemi as përvojën, bile nuk kemi as metodat juridike të nevojshme për këtë. Pse e them këtë? Po largohem një çik nga idea e parë, hap një parantezë të vogël. Të krijojmë thonë ata të shtypshkronjave, sindikatën e pavarur, por shkojmë me mendjen se, mirë ja i krijove sindikatat e pavarura, po shkojnë me mendjen se tani që bëhemi ne sindikatë e pavarur mund të botojmë kë të duam. Po kush të lë njëherë? Shtypshkronja është e shtetit, shteti ka ligje, shteti ka norma, që të thotë boto këtë dhe ti s’ke të drejtë të botosh asgjë në kundërshtim me atë që do të japë ndërmarrja e botimeve. Deri dje ne kemi dhënë porosinë dhe kemi nxitur drejtorin ta zgjedhë kolektivi, tha si mund të dalë urdhër, jo, drejtori emërohet, se nuk mund t’i lihet forcave të ndryshme të zgjedhin kë duan. E kuptoni këtë? Ja kjo është përgatitja juridike e jona, që në kushte të tilla të luftës që hymë, nuk jemi më të përgatitur. Ajo duhet ndryshuar në kuptimin që do jetë shteti juridik ai që duhet të veprojë, në kuptimin që unë nuk të lë asnjë forcë që të veprojë si të dojë, sepse edhe kur ne i thonim te bashkimet profesionale në shtypshkronjë, bashkimet profesionale nuk kishin të drejtë të botojnë këtë libër, apo të mos botojnë atë libër. Bashkimet profesionale bënin nxitjen e punëtorëve që të realizojnë planin, detyrën etj., por plani i botimeve bëhesh nga dikush tjetër. Nga kush? Nga Ministria apo nga komiteti i kulturës. Ai jepte planin e botimeve, shtëpia botuese jepte materialet e redaktuara, këta ishin të detyruar të botonin. E bëra këtë parantezë për të treguar që lufta politike ka një karakter krejt tjetër.
-Si duhet të bëhet lufta politike 
Domethënë, mënyra e trajtimit të problemeve është ndryshe, kësaj duhet t’i përshtatet puna e partisë. Ajo metodë burokratike e drejtimit, s’pi ujë! Tani do të vihet në kandar rezultati i punës së partisë. Tani do të vihen në kandar, me të vërtetë rezultati i punës së partisë. Dmth, partia i ka anëtarët e vet të bindur në idealet komuniste apo kemi në radhët tona njerëz të cilët nuk janë të bindur në idealet e tyre, njerëz që lëkunden nga këto ideale dhe aq më keq njerëz që i kundërvihen këtyre idealeve? Firo do ketë dhe mos u habitni! Duke vazhduar idenë e luftës politike…do vijë puna që lufta politike do të bëhet e rreptë. E rreptë edhe në kuptimin sulmues, pra mund ta atakojnë partinë, siç thoshte njëri sot në gazetë “që ti sekretar, ti zoti ministër ke privilegjin…s’ka rëndësi hiç, rëndësi ka problemi. Ai mund të thotë edhe ti shoku ke privilegjin. Ne si parti nuk do t’i marrim në mbrojtje privilegjet, përkundrazi as i kemi marrë dhe prapë nuk do t’i marrim, duhet t’i dënojmë ose më mirë t’i eliminojmë. Por, unë do të them edhe tjetrën: Dakord, po kush po ma ngre këtë, po ma ngre ti filan që je rritur me pekule, që ke vajtur 10 herë për t’u specializuar, ty që të ka mbajtur përpara Enver Hoxha e të ka rritur duke të dhënë të gjitha të mirat që nuk i kishte ky popull? Ç’të drejtë morale ke të flasësh ti?! Nga ç’pozitë nisesh ti?! Kjo është pozitë destruktive, antipopullore, antikombëtare megjithëse ti thua se je për kombin. Mos përmendëm ndonjë emër, e thashë kështu në përgjithësi. Për këto gjëra duhet të përgatitet mirë partia. Për këto gjëra duhet të jetë partia e aftë, që të dijë të mbrojë idealet e saj, rrugën e saj luftën e saj.
-Frika nga dobësimi i strukturave të Partisë së Punës nga krijimi i partive të reja 
Po kërkojmë njëri pas tjetrit, njerëz të ndryshëm që të aderojnë në partinë e tyre. Unë isha tani te rinia, deri te sekretarët e rinisë. I ftojnë, do vish ti me partinë tonë? Dhe sigurisht ata u përgjigjën drejt: Ne jemi anëtarë të një partie. S’ka pse të ndryshojnë parti. Po këtë po e bëjnë ke të gjithë, mbase ka edhe këtu…unë nuk e di. Mirë, mirë…as dua të… Po kërkojnë si priftin në kusi…Tani çështja shtrohet pikërisht kjo: je komunist, je me këto ideale, që po lufton me këto ideale apo jo?! Por, në fund të fundit unë do pyes: po ku po shkon?! A e di ku po shkon?! Cili është ky program?! Po shkojmë se po mblidhet sindikata e pavarur në Kinostudio. Përse është kjo sindikatë? Çfarë program ka? Përse po shkoni, për të parë nuse? Ç’bindje ke ti për atë që po bëhet? Kjo eksperiencë dhe kjo luftë politike ka munguar në veprimtarinë tonë. Sepse në praktikë konsideronin që njerëzit çfarë u thonin bëheshin. Ja që realiteti s’paska qenë kështu. Realiteti është se puna e partisë ka qenë e sipërfaqshme. Realiteti është se ka njerëz që nuk janë të bindur në idealet tona. Ka njerëz në radhët e partisë që nuk kanë qenë të bindur në idealet e partisë, që janë lëkundur në idealet e partisë. Se për çfarë arsye, mua nuk më intereson shumë.
-Thirrje dhe alarm për veprim në terren 
Prandaj shokë, nuk është koha të mendoni nëpër zyra. Nuk është koha që komunistët të rrinë pasivë. Është koha që komunistët të tregojnë veten, me të vërtetë janë luftëtarë të idealit të tyre. Të dimë të futemi në debat politik për të mbrojtur idetë tona, rrugën tonë, vijën tonë. Synimi i armiqve, ku një nga armët që do të përdorin është të nxijnë socializmin. S’ka vezë në Pazar, s’ka qumësht në Pazar, socializmi ka falimentuar. E ç’bëtë ju 45 vjet? Hiç gjë. Ja një nga tezat e tyre. Të kujt? Të Zërit të Amerikës. Do të dimë ta mbrojmë ne luftën që kemi bërë? Do të dimë ta mbrojmë ne vijën që kemi ndjekur? Do të dimë ne të mbrojmë sakrificat që ka bërë partia, populli komunistët, për ta bërë Shqipërinë kështu siç është? Në asnjë moment nuk mund të mbulojmë, të shuajmë ato fitore kolosale që ka arritur ky popull në udhëheqjen e partisë sonë dhe të shokut Enver.
-Synimet e partive të reja dhe lëvizjeve, sërish gju më gju me popullin  
Nuk ka synim konstruktiv të përmirësojë, të rregullojë, por ka synim të shkatërrojë, të diskreditojë. Kapet tek mungesat tona, te gabimet tona. Prandaj është dhe lufta politike e vështirë. Prandaj edhe ne do ta kemi të vështirë në këtë fushatë. Të mos mendojmë se çdo gjë do të shkojë si në vaj, sepse nuk do të jetë ashtu. Do të na duhet të punojmë kokë më kokë, të shkojmë shtëpi më shtëpi dhe të bisedojmë njeri më njeri. Dhe jo t’i besojmë mitingjeve vetëm. Sepse në mitingje ndodhin edhe ato gjëra, që sot flet me një gjuhë dhe nesër flet me një gjuhë tjetër. Sot del dhe thotë një gjë, nesër del dhe thotë diçka tjetër. Për këtë arsye shokë, duhet ta kuptojmë këtë moment politik dhe të bëjmë që partia të dijë t’i përgjigjet këtij momenti politik. Ndonjë zgjidhje magjike nuk ka. Absolutisht jo. Zgjidhja e vetme politike është që partia të jetë parti e njerëzve të bashkuar, të idealit komunist. Të jetë parti militantësh, dhe jo burokratësh. Të jetë parti e njerëzve që mbi çdo gjë të vënë interesat e partisë dhe popullit dhe jo interesat e tyre meskine, kolltukun e tyre apo privilegjet e tyre. Këtë kërkon koha sot. Lufta me armiqtë është e rreptë, sepse është luftë me armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm. Ne duhet të dimë si duhet luftën e partisë, por do jetë një luftë nëpërmjet një debati të madh politik. Nuk zgjidhet me forcë kjo luftë. Me këtë nuk dua të them që duhen lejuar huliganët. Absolutisht. Kundër huliganëve duhet të veprojë ligji. Edhe të veprojë me forcë.
-Si do të zhvillohet lufta politike 
Tjetër është huligani dhe tjetër është lufta politike. Luftën politike duhet ta zhvillojmë me mjete politike, në rrugën e debatit, argumentit, diskutimeve dhe bindjeve. Për këtë duhet të punojmë ne si parti. Për këtë duhet të punojë koka e secilit prej nesh. Kurse organizmat shtetërore, le të forcojnë ligjin, rregullin. Kur ligjet thyhen, kur rregullat prishen, sipas ligjit në fuqi. Nëqoftëse ka nevoja të reja, të bëhen rregulla të reja. Por, gjithnjë, sipas kompetencave që kanë organet shtetërore. Ne këtu në Komitet Qendror, e kemi lehtë, në kuptimin që u takuam, biseduam, mund të takohemi sërish, dhe mos harroni që janë 26 rrethe. Probleme të tilla në ndonjë rreth kanë dalë, në ndonjë rreth tjetër nuk kanë dalë, por nuk është çudi të dalin. Kanë dalë në Shkodër, në Kavajë, në Korçë, Gjirokastër, Vlorë. Mund të dalin në Sarandë, Elbasan. Nuk ka dyshim që do dalin.
-Instruktorët e partisë të mos shkojnë me bllok në dorë 
Prandaj instruktorët të mos shkojnë me metodat e zakonshme, me bllokun e shënimeve në xhep. Më falni nëse nënvlerësoj punën tuaj, por fakt është që me bllok janë. Nuk është punë blloqesh kjo. Është punë militantësh, organizatorësh, njerëzish të ditur që duhet të frymëzojnë, organizojnë njerëzit dhe të hidhen vetë në luftë bashkë me të tjerët dhe të japin shembullin e militantizmit. Ja, këto gjëra doja t’i thoja para jush sot, duke pasur parasysh që momentet janë të tilla që precipitojnë nga ora në orë. Këto elementë që kanë marrë revansh, duket që janë të përgatitur për veprimet e tyre. E keqja është që shoh një pasivitet të patolerueshëm nga ana e organizatorëve të partisë. Ikën qendra e punës e tëra dhe organizata e qendrës së partisë nuk ndihet fare. Ngrihet kolektivi i shtypshkronjës dhe organizata e qendrës së partisë nuk është gjëkundi. Përkundrazi, solidarët dhe punëtorët që nuk shkëputen nga klasa punëtore, që nga drejtori komunist, dhe kujton se po bën punë komuniste. Po këtu ka marri kolektive. Se thonë ata është lëvizje revolucionare: gomari fluturon. Si mo fluturon? Si është revolucionare, ku konsiston revolucioni? Në kuptimin pozitiv të fjalës. Përse revolucionare për të përmbysur socializmin? Nuk e kanë thënë, por, përse nuk e kanë thënë? Nuk duket sheshit ajo?
-Shthurja e partisë dhe gabimet 
Ato edhe mua nuk më thonë shoku Ramiz Alia, por presidenti Ramiz Alia. Nuk e dëgjoni këtë ju? Nuk ka domethënie kjo? Pra, çfarë revolucioni ka këtu? Kundërrevolucion po, por jo revolucion. Prandaj ti komunist, ti drejtor, ti sekretar, je shkëputur që kur të ke ikur nga duart. Ti ke marrë fund. Ti s’kupton hiç. Ti ke qënë i shkëputur nga ata. Prandaj ti duhet të luftosh për idealin tënd, nëqoftëse ke ideal. Nëse nuk ke ideal, në dreq shkofsh. Më mirë dorëzo dhe testerin e partisë se nuk na duhesh. Nëse ke frikë, prapë dorëzo testerin e partisë dhe thuaj, unë kam frikë. Ik largohu! Tutje. Nuk na duhen frikacakët. Sepse ka dhe njerëz që nuk janë komunistë dhe janë të ndershëm. Më thanë për një dekan të Universitetit që vajtën e i thanë: Do futesh në partinë tonë? Jo, i tha ai, sepse unë nuk jam as në Partinë e Punës, por jam qytetar i Republikës dhe i shërbej socializmit.

About The Author

Related posts