Nëntor 18, 2019

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Rama mbron serbin Vuçiç dhe padit Haradinaj

Rama mbron serbin Vuçiç dhe padit Haradinaj

KMA NEWS / Rama mbron serbin Vuçiç dhe padit Haradinaj

Nga Mili Xhani

qamil xhaniRamush Haradinaj është paditur shpesh nga Serbia dhe leva të saj në Gjykatën e Hagës, si Dick Martin dhe Carla Del Ponte, por i ka fituar të gjitha betejat ligjore. Tani është radha e Edi Ramës. Këtë turp nuk duhet lejuar ta bëjë në emër të qeverisë së Shqipërisë dhe as të shqiptarëve. Ndaj tërhiq padinë zoti kryeministër që të mos mbetesh në histori që një kryeministër shqiptar padit një kryeministër kosovar, duke i bërë qejfin Serbisë.

Kryeministri Edi Rama që shikon endërra si kryeministri më i mirë në historinë 107-vjeçare të Shqipërisë, bëri të enjten një idiotsi të përmasave kombëtare. Në emisionin “Opinion” kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se do të padisë për shpifje kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj. Një gafë të tillë, që jep mesazhe të gabuar mes shqiptarëve në dy shtete, nuk ka guxuar ta bëjë askush me një papërgjegjshmëri të tillë, aq më pak kreu i qeverisë së Tiranës që e ka detyrë të japë mesazhe bashkëpunimi mes vendeve. Megjithatë, Rama ka vendosur t’a çojë në bankën e të akuzuarve Haradinajn, njëlloj siç e kanë çuar më parë ish-luftëtarin e UÇK-së kryeministrat e Serbisë. Në fakt Ramush Haradinaj është mësuar ta çojnë në gjykatë serbët dhe lobet serbe. Por këtë radhë po shkon nga një shqiptar që ka karriken e kryeministrit të Shqipërisë.

Por për çfarë po e padit Edi Rama kreun e qeverisë së Kosovës?

Haradinaj është kundër projektit për ndarjen e Kosovës, një ide e hershme që është projektuar në Beograd dhe vitin e fundit çuditërisht ka pasur mbështetjen e Hashim Thaçit në Prishtinë dhe Edi Ramës në Tiranë, sipas palës kosovare. Haradinaj ka thënë se pjesë e këtij plani, për ndarjen e territorit të Kosovës me Serbinë, është dhe dhënia e minierën e Trepçës, shtetit serb. Për pasojë Kosova humbet të paktën 10 miliardë dollarë pasuri nga kjo shkëputje territori. Në deklaratat e tij, Haradinaj nuk thotë se Edi Rama apo Hashim Thaçi do të fusin në xhep 10 miliardë dollarë, por lë të kuptohet se nga skenari i ndarjes Kosova humbet 10 miliardë dollarë pasuri që ka zona e Trepçes. Por Edi Rama e ka marrë si një akuzë personale çështjen e parave dhe ka vendosur ta zgjidhë në përballje ligjore. Në pamje të parë duket si një përpjekje e Ramës për të vënë në vend nderin e tij, me që është lakuar shpesh në historinë e ndarjes së Kosovës.

Në fakt, padia e kryeministrit të Shqipërisë nuk mbron Edi Ramën, por Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ramush Haradinaj ishte politikani që u shqua më tepër në kundërshtimin e projektit për ndarjen e Kosovës. Skenari me harta dhe territore u denoncua edhe nga përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, bile dhe kryetarë shtetesh folën hapur kundër një projekti të tillë. Zyrtarë të lartë të Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Kroacisë, Sllovenisë dhe vendeve të tjera në BE e Rajon e cilësuan këtë projekt si hapje të Kutisë së Pandorës për gjithë Ballkanin. Të vetmit që e mbrojtën ishin disa lobistë të Serbisë në Bruksel dhe Uashington. Natyrisht Hashim Thaçi direkt dhe Edi Rama indirekt luajtën pro një projekti të tillë. Edhe shkarkimi i Ditmir Bushatit nga ministër i jashtëm erdhi si pasojë e qëndrimëve të tijë kundër ndarjes së Kosovës.

Që projekti ishte një skenar serb i hedhur me shumë djallëzi, si version i shqiptarëve e konfirmoi edhe ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. “…Ishte një ide e vjetër serbe e paketuar në mënyrë shumë të strukturuar, e vendosur në gjuhën shqipe dhe me personazhe të cilët jo vetëm kanë bredhur në çdo studio televizive në Shqipëri dhe në Kosovë, kanë ardhur në zyrën time, kanë shkuar edhe në seli të rëndësishme apo në qendra të rëndësishme vendimmarrëse për ta shitur këtë si një ide lokale, si një ide që vinte nga vetë protagonistët në këtë proces”, deklaroi Ditmir Bushati në “Real Story” lidhur me idenë e ndarjes së Kosovës. Bushati nuk ka përmendur emra, por dihet se personat që e sponsorizuan këtë projekt janë në krah ose në zyrë të Edi Ramës.

Ndaj kur Ramush Haradinaj akuzon Edi Ramën si mbështetës të kësaj ideje të gabuar i drejtohet kryeministrit të Shqipërisë. Kryeministri i Shqipërisë e ka detyrë shtetërore dhe kombëtare që të mos dëmtojë interesat e shtetit të Kosovës. Me mos refuzimin e kësaj ideje, madje dhe mbështetjen e saj, sipas tij, Edi Rama ka dëmtuar Kosovën si dhe i ka dhënë hapësirë një projekti të hershëm serb kundër shqiptarëve. Ndërsa me padinë që po bën ndaj Haradinaj, po e merr dhe njëherë në mbrojtje këtë projekt duket i bërë një tjetër shërbim Aleksandër Vuçiç.

Për të kuptuar këtë mjafton të shihje dje titujt e mediave serbe, afër Vuçiç, që ishin shumë të ngazëllyer për sherrin e fundit mes shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë. Në deklaratën e Edi Ramës për padinë kishte dhe një detaj acarues. Kryeministri tha se padia gjyqësore do të bëhej nga struktura që ka ngritur posaçërisht në kryeministri për rastet e shpifjeve. Pra, qytetarët shqiptarë do të paguajnë me taksat e tyre shpenzimet ligjore dhe punën e avokatëve për gjyqin e Kryeministrit të Shqipërisë kundër kryeministrit në detyrë, të Kosovës.

Ramush Haradinaj është paditur shpesh nga Serbia dhe leva të saj në Gjykatën e Hagës, si Dick Martin dhe Carla Del Ponte dhe i ka fituar të gjitha betejat ligjore. Tani është radha e Edi Ramës. Këtë turp nuk duhet lejuar Edi Rama ta bëjë në emër të qeverisë së Shqipërisë dhe as të shqiptarëve.

About The Author

Related posts